|
• |
DIELLI PASQYRE E FYTYRES SIME |
Pash fytyren e diellit ne bule vese
Tek kenaqej me bukurine e vet
Duke u shikuar si nusja me vello te hequr
Pakez para se ta kryej alkimin e jetes
Atje zbulova fytyren time si margaritar te perndritur
Qe verbonte syte e kurreshtareve te perkushtuar
Ajo fshehte merekulline e dites se madhe
Qe kalonte si perrua me shpirtera i bart si gjethe tetori
Cka u be me fytyren tende miku i cmuar
Qe shikohet ne zemren e xhevahirit
Cka ishte ajo lemeri e ai trishtim
Qe shurdhonin veshet syte i mbyllen
Penguan ta shohish bukurine e diellit
Eja te ta rrefej misterin e perditshmerise
Nata ta zhvesh trupin behesh si mejit
Dita ta zhvesh qenien behesh si nefrit
Eja te ta rrefej dashurine e engjellit per njerine
|
|
Shirat serish reshin
ne mua lagin sythet, stigmat shperajne
Dielli per ta pjekur frymen
Me erandje rreshire farezhveshurash
Ku kalojne tineza tingujt
neper kloroplaste jeshile
Eh ... lutje i them kesaj jete
Ku vuajtja dhe dashuria
Njera tjetres klecken ia vendojne
Ne shtrat iluzionesh me lene
Gojehapur me pyetjen e kaperdire
A jam apo nuk ... Fryme e tij
------------------------------------------------------------------------------------------------------
HOMOFAGIA JONË
O ju që m'i knoni bejtet e mia
kjoft i knaqun i madhnueshmi
se koha nuk ju shkon kot
e melekët ju bajnë hije
Prapë ra zari n'sofrën teme e po vazhdoj ket sohbet që e pata nis për dashni, e cila njiherë kur mësohet, zahmet asht me u ç'mësue soje .
Krejt ket vakt e shfrytzova me vuejt prej vajeve t'insanit, i cili nuk po e merr vesh gjuhën e dashnisë. Shpesh pyetjeve tona xhevapin s'un ia gjeja. Allahile, a po gjeni nge me ndigjue dërdëllisjet e të dështuemve, e s'po kini vakt me u kthy kah kibla juej, kah zemra juej? A hiq s'po ju dhimbset zemra juej, të cilën e ka kapë hërxha.
I pata dhanë disa nasihate ma herët, por hiç s'po di sa kanë tingllue në veshët tuej. Më dëgjoni bile njeherë, ke nji shkrim që e pata ba ma herët dhe s'po di sa ka ba punë ai shkrim.
KUR FJALËN TEME VATH NË VESH S'E VË
NË TË ÇORTOJ, RRI URTË, MOS NXIR ZË
Thuhet në Gjylistan të Saadi Shirazit
Dhe u pata betu se kam me ju tregue krejt çka baballarët nuk ju kanë tregue, nuk ju kanë tregue as mësuesit, as priftat, as hoxhallarët. Sa mirë asht me qenë i ri e mos me e shikue botën me sy. Dikur asht knue:
Qeshu rini qeshu bota asht e jote
Unë po ju thom:
Çohu rini, çohu, se botën po ta vjedhin, e tevona mos t'bahet s'e kena ditë, s'kena pa, s'kena ndi,
çohu rini, çohu, se botën po ta vjedhin,
mos po bahet, vajto rini, vajto se botën ta kanë vjedhë!A jeni tue e ndi erën e mykut a naftalinës n'letërsinë tonë? A s'jeni tue pa hajal n'vend t'insanit? A s'jeni tue e ndigjue zanin e vjedhun që ban zhurmë n'Kosovë? A s'jeni tue e pa xhepin bosh? A s'jeni tue e pa se gjijtë e nanave nuk kanë tamël për evladtë e tyne? A s'jeni tue e pa ushtrinë pa silah, msuesin pa nxanësa, nxanësa pa libra, gra pa burra n'dyshek, njerëz me ma shumë gishta n'kambë e n'dorë sa e sa libra që i kanë lexue? A s'jeni tue e pa hanën plot e zemrën bosh prej dashnie? A s'jeni tue e ndi ezanin e xhamia bosh? A s'jeni tue e ndi kumbonën e kasha e plotë me muzikantë e daullxhi? A s'jeni tue e gjetë veten n'krejt ket pisllëk apo jeni msue me to dhe tani po ju vjen hosh?
Mos thuni tevona Fahredin Shehun s'pe marrim vesh, sepse po shkrun për 'marsovca', dhe po mundohet me e qit shpirtin n'letër. Migjen Kelmendi asht belaxhi dhe po shtin fitne. Mehmet Kraja ka gjyzllëk t'zi dhe sheh veç zi, kurse Kadareja dhe Qosja po folin pa lidhje.
Lidheni kapak pash nderën se dikush asht kah jau vjedh botën. Çohu rini, çohu, se botën po ta vjedhin, shumë vonë e paskam kuptue sa e paskam drejtë.
Por edhe nëse folni, folni si duhet, si burrat. Ka boll ujë tevona gjuhën me e shpërla e me marr tahret, sepse nuk asht njajtë si me e thanë fjalën mjalt, si me e shijue ate. Kur e kanë pasë pyet Rumin, çka asht ashku, ai u asht përgjegjë: Nëse bahesh si une, ke me e kuptue.
Sepse, cilsia e drunit të djegies dihet mbasi e kallim ate. Sepse une muj me durue dhe di me e ba ket. Une muj edhe me shuejt dhe e di me e ba ket. Bile jam idhnue dhe kam pyet: kush ma vjedhi heshtjen?
Jo, nuk janë pleqtë, por jeni ju. Lirisht thuni: nijeti asht i mirë, por nisa asht e gabueme.
Ani, e di se i njof gabimet e mia dhe i njoh gabimet e jueja, m'ndihmoni pra me i përmirësue.
A e ke pa mashtrimin me sy, se si po e luen rolin e melaqit? A e keni pa dallimin i cili hesht si i nemun? A e keni pa idhnimin e pa za me tërbimin në gjumin dimnor? A e keni pa dashninë së cilës vetëm emnin ia kujtojmë? Ku janë pleqtë që dikur jepnin nasihate? Pse po shuejnë e nuk po u ngrehin veshtë dhe nuk ia dhezin shpullë qafe atyne që i kanë lazdrue?
Nji send e di sagllam: kjo boll ka zgat. Nji send e di: se rinia asht n'lloq, por edhe nji send e di që edhe aty po shkëlqen.
Xhevahiri edhe në sqoll të bjerë
Është i vyer si ngaherë, kurse
Pluhuri, edhe në qiell të vej
Vleftë do mos gjejë
Nga Gjylistani i Saadi Shirazit
Kush ka sy mundet me e pa shkëlqimin. Po shoh se krejt ata që shohin, po e hajnë mishin e njomë të këtij shkëlqimi.
Dikur n'Spanjë u takuen Ibn Rushdi, i njoftun si Averoes, dhe Ibn Arabi, i njoftun si Doctor Maximus. Ibn Rushdi ishte 90 vjeçar, kurse Ibn Arabi 19 vjeçar. Kur u takuen, njani tha PO e tjetri JO. Pastaj Ibn Rushdi i tha babës së Ibna Arabit: jam shumë i lumtun që po jetoj n'zaman t'këtij djaloshi. Çka une di, ai sheh.
Kjo ka ndodhë n'Spanjë. Ka mujt me ndodhë n'Kinë. Kjo ka mujt me ndodhë n'Judea, kjo ka mujt me ndodhë n'Egjipt, kjo ka mujt me ndodhë n'Angli ja n'Amerikë, por n'Kosovë kurrë nuk ka ndodhë dhe kam frikë që s'ka me ndodhë kurrë.
Të gjithë e dini pse.
Pa dalë nga antika e organizimit shoqnor fisnor, pa i ndrrue tabijatet e mushrikëve (pabesimtarëve), pa e ndërpre tavafin rreth nefsit t'vet, pa ja qit kantarin e vetvetes para se me i mat gjynahet e tjetrit, kjo s'ka me ndodhë kurrë.
Dhe, krejt kjo çka asht kah na ndodhë, asht barrë të cilën duhet me e durue, sepse s'kena nijet me u ndrrue. Dikush mbas neve ka me shkrue qitape, t'cilat kanë me i përdorë fmitë e tyne, për me i tregue t'keqen, para se me e ba ata vetë, kanë me e perdor si mostër se si nuk duhet me ba, për me e parandalue të keqen dhe zor që kanë me besue se paska qenë e mundshme nji jetë kësisoji. Kanë me u gërdit vetëm prej idesë se me ne kanë diçka të përbashkët, si gjakun dhe si farën. Ata kanë me thanë: une jam arrë edhe fryt edhe farë.
Tue e pa diellin se po shkëlqen ndryshe; tue e shijue thelbin e tue folë për Omega 3, dhe tue dijtë se hajnë dhe folin për Juglans Regia, demek, arra.
--------------------------------------------------------------------------------
------------------------------------------------------------------------------------------------------
NJE HESYCHIA E THYER
Letër e hapur Maks Velos
z. Velo
E dashtuna Shypni
Milorad Paviq është njëri nga shkrimtarët më të mirë të ballkanit të kohës sonë. Kur e pyetën gazetarët sa çka është, ai u përgjigj se është Bizantin kurse secili që e ka lexuar Paviq-in e dinë se ai është serb. Shumë më tepër kam mësuar nga Paviq-i rreth krishterimit ortodoks sesa nga vet Bibla e dr. Lujo Bakotiq-it.
Njeriu është ajo çka ndjen, por krejt mjeshtria qëndron aty se si e artikulon atë ndjesi.
E filluat me division dhe do ta mbaroni ashtu. OK.
Në vitin 1997 me keni dëshpëruar shumë, dogjët bibliotekën më të vjetër në Ballkan, shkatërruat bimët në Institutin botanik, tash më trego kush është primitiv. Kundra, në asnjëherë nuk kemi djeg libra, neve na i kan djegur, ata të afërmit tu. Vetëm të të rikujtoj se bashkëfetarët tu ma dogjën bibliotekën familiare dhe ata hynë me këpuca (çizme), njëlloj si ti, normalisht se nuk merrni abdest dhe nuk i lani këmbët, çorrapëve u vie era, prandaj nuk i zbathni këpucët. Me ato këpuca hyni në WC me të njejtat në dhomë, prandaj bakteriet bëjnë dasëm. Tani më trego kush është primitiv.
Z. Velo, me heqjen e vellos suaj gufoi racizmi, xenophobia dhe Islamofobia, këto janë fenomene të cilat Evropa i ka tejkaluar dhe e mban në mend si mostër se si nuk duhet vepruar. Unë kam pritur se me heqjen e vellos do të gufoj AGAPE në vend të Xeneophobia-s, prandaj ky më vjen si dëshpërim i dytë i cili ma theu HESYCHIA-n, heshtjen time kontemplative. Por e perdori zhargonin ortodoks që të më kuptosh më mirë se po të të shkruaja në Geg do të thoshe se nuk më kupton.
Dije se Kosova do të mbetet e mjerë nëse ti nuk vjen dhe betohesh për këtë?????!!!. Aferin.
Një gjë dua ta vë në pah, ju jeni në gjendje të votoni në rast referendumi për unitet me Kosovën. Nuk e di a ke fëmijë por jam shumë i bindur se pa disa vitesh i biri/e bija jote do të vi në Kosovë për ti’u afruar Evropës.
Prap kujtoj, nuk ke faj ti…a e di çka thotë bashkëfetari yt nga Veriu i Ballkanit, Z. Nenad Çanak, ai thotë se ne Vojvodinë thonë që …kungulli i cili është rritur në hije nuk është për përdorim. Prandaj toni si flisni ju neve primitivëve të Kosovës na është shumë i njohur.
Në vitet 1987-88 Rilindja e prishtinës e botoi Profeti-in e Khalil Gibranit. Ne dhe 4000 000 Amerikanë të cilët e lexuam atë libër gjithmonë kemi ditë se Khalil Gibrani është arab i Libanit, krishter Maronit dhe asnjëherë nuk jemi friguar se vetëm që është Khalil ( lexo: Halil), mos ta lexojmë vetëm se është nga Orienti, së është Arab, apo se është i krishterë, larg qoftë!
Ne këtë e bejmë sepse duam, E duam shumë Shqipërinë dhe Fahredin Shehu ka shkruar kaherë…ai që ëshët mësuar të doj vështirë e ka të ç’mësohet. Madje edhe atëherë kur na cilësoni si primitiv.
Nuk njoh arsyen pse ti dhe komandanti yt dezerter i demokracis që po lindte në Shqipëri, ju keni mësy kaq Perandorisë Osmane, çfarë është ky falëndërim? Nuk kuptoj pse keni kundër Turqisë dhe krejt Orientit, kur ne Mekken e kemi në Arabi e ju në Stamboll. Ai sultan i keq nuk i përzeu të krishterët, ai nuk e dogji Patrikanën e Konstantionopojës, por i pranoi Safardët kur Ferdinandi dhe Isabella… a-ha…. nga Evropa i dëbuan nga Spanja. Tani në Spanjë për çdo vit shënohet dëbimi i muslimanëve dhe hebrenjëve, jo me fest si kishe bërë ti por me lament duke kuptuar pas 500 vitesh se çka dhe sa kanë humbur.
Tregoma ti një shtet ortodoks ku ka vend të shënjtë Islam, Tregoma një shtet ortodoks ku kryeministri është Hebre,( Turqia), rasti i koptit Butros Gali në Egjipt, apo Tarik Azizi në Irak, po edhe në vet Shqipërinë tënde.
Ajo që të flen zemra në Greqi duhet të mirresh veshë vetë me vetvetën dhe ke mundësi me zgjedh ja me Shqiptarë ja me Grek. Ngutu sa nuk e ke vonë. Por ne në Kosovë prap kemi me ju dasht, ashtu jemi mësuar dhe vështirë është të ç’mësohemi.
Krejt po më duket se komandanti i juaj deserter do të kthehet me i mbledh si gjenerali i tij në libër, eshtrat e fosileve të gjalla të stalinizmit të cilin jo Evropa por vet Rusia e ka flakur vaktile, e t’iu çoj në Francë apo në Kubë tek Fidel Kastro, por mos harroni se edhe në Francë komunistat nuk janë si ju. Aty ka 8000 000 musliman dhe ata kanë të drejtë me votu.
E ti mos kij frikë prej Shqiptarëve musliman nga Shqipëria apo nga Kosova, ata po e dëshmojnë tolerancën dhe dashamirësinë e vëllazërisë. Paramendo po të ishin ata pakicë 7-8 % si ju, çka ju kishte ndodh larg koftë, paj supozoj se u kishte ndodh njësoj si Çamëve në Greqi, por në vend të Sarandës, ju i kishit deportu me gomona (ato skafe si i thoni ju atje), në Qipro për me hy më lehtë në Turqi.
Tash më trego të lutem kush është primitiv?
Thjesht pyetem nga vjen i gjithë ky helm? Po ta bëje një analizë gjaku( për cka duket se ke nevojë), jam i bindur se mjeku zor që kishte me gjetë gjak në venat tua, shumë vner, shumë helm, shumë urrejtje. Zot ndihmo.
Tash po të flas pakëz për Prishtinën të cilën e ke huç me e njoft (Qosja është nga Mali i Zi, jo nga Kosova prandaj qenke gabu). Po kjo është ajo Prishtina primitive e cila kishte shkallë lëvizëse (lift) shumë para se ju ta vëni në gjygj Nexhmije Hoxhën se pinte kafe me llokum( ne llokuin e prodhinim në familje krahas atyre qe I prodhonin fabrikat) dhe e gjithë ajo maskaradë prej gjykimi të një gruaje ndoshta të pafajshme.
Tash po e kuptoj se Enver Hoxha e paska pas të drejtë se ai më shumë dhe më mirë ju ka njoftë se sa iluzioni ynë për shtetin amë të cilin jeni duke e shkatërruar ju. Ne shkërdhata e kosovës e cila ju don, ne primitivët.
Po kjo është Kosova/Prishtina primitive e cila kishte dhe ka Rock, kur ju dëgjonit Adriano Celentanon dhe fluskat e ndryshme italiane, Prishtina e cila ka Grange, e cila ka Hip hop, ka kisha xhamia, teqe, ka këngëtarë, piktor, shkrimtarë, arkitekt, inxhinierë, politikanë. Ne të këtillët përherë primitiv. Ne të cilët nuk mbjellim hashash.
Ne të cilët nuk kemi urrejtjen për Veriun, e duam shumë Shkodrën e duam shumë Kukësin, e duam shumë edhe Jugun. Ne primitivët të cilët kemi njerëz edhe si ti por nuk i urrejmë, thjeshtë kemi lirinë shpirtërore dhe e respektojmë atitudën e secilit.
Ne të cilët jemi mësuar të duam dhe vështirë e kemi të ç’mesohemi.
Sa për informatë z. Velo, Evropa është krishtere por jo Xenophob-e e raciste, Jo më! Ka qenë dikur dhe më duket se ti nuk po jeton në SOT por në DIKUR. Ora diku t’u paska ndal. Mesiguri në kohën e ikonave.
Nëse nuk keni lexuar- ju këshilloj ta bëni këtë duke u nisur nga:
- Simbolika e kryqit nga Rene Guenon
- Scientia Sacra nga Bela Hamvasz
- Domethënia e krijimtarisë nga Nikolai Berdjaev
- 777 nga Alister Crowley
- Six thinking hats nga Eduard De Bono
- Meeting with remarkable man nga G. I. Gurdijeff
- Simulacrum nga Jean Baudrillard
- Cink nga David Albahar
- Bukvica nga Saban Sarenkapic
Të gjithë këta autorë janë nga Evropa dhe shumica prej tyre janë të krishterë
Po mirë është të lexosh edhe :
- The seals of wisdom nga Ibn Arabi
- Sefer ha Kuzari nga Juda Ha Levi
- Picatrix nga Maslama Al Magriti
- Talhis kitab al- maqulat (Komenti i veprës së Aristotelit, Kategoritë) nga Ibn Rushd
Dhe krejt në fund
- Nektarina nga Fahredin Shehu
Të gjithë këta janë nga Evropa por janë; musliman, sufi dhe hebrej.
Edhe këtë ftyrë e ka Evropa mos harro.
Ndërsa unë do të vazhdoj së lexuari Xhelaluddin Rumin sepse kështu më pëlqen.
Me tonin që ju flisni z. Velo mendoj se vendin e keni në Gjykatën e Hagës, sepse tone të këtilla Evropa i ka dëgjuar në Nyrenberg.
Kurse mediat në Shqipëri që e paskan zbuluar ujin e nxehtë ( liria e shprehjes), po kush e di çfarë tendence fshihet aty, u duhet një pauzë që të reflektojnë në disa pika
- Argat të kujt janë;
- Liria e shprehjes nuk është gjuha e urrejtjes, këto dallojnë shumë, liria e shprehjes shpesh është kufizim I përdorimit të gjuhës së urrejtjes;
- Islami nuk ka ardh sot në Kosovë;
- Evropa nuk është armike e Islamit dhe anasjelltas;
- Muslimanët kanë më shumë të drejta në Londër se në Tiranë;
- Ejani në Kosovë dhe mësojeni tolerancën dhe dashurinë;
- Lexojeni biblën më shpësh për ta kuptuar Kur’anin si duhet.
Ndërsa ne Kosovarët primitiv, organizojmë përvjetorin e lindjes së Kadaresë, e kritikojmë Kadarenë dhe Qosjën kur nuk e qëllojnë. Këtë unë e kuptoj së pari si liri shpirtërore e pastaj si liri të shprehjes.
Në vendet demokratike liria e shprehjes d.m.th. shpeshherë kufizim i përdorimit të gjuhës së urrejtjes,
Nëse SHEKULLI e ka pas qëllimin e nxitjes së urrejtjes, me standarde Evropiane monitoruesit e mediave i ndëshkojnë mediat e tilla e nëse SHEKULLI nuk e ka kuptuar se 2000 000 kosovarë ofendohen pa pikë arsye dhe këtë e konsideron liri të shprehjes, atëherë po ju them se, reostatin e vlerave e keni të prishur, apo fare nuk e keni.
Pres nga SHEKULLI që në mënyrë publike t’u kërkoj falje Kosovarëve se këtu ka edhe turq, serb, boshnjak, romë, ashkali, boshnjak, goran, çerkez, hebrenjë.
Të dua Shypni
Kyrie Eleyson
Nga Prishtina
Fahredin Shehu
Korrik 2006
--------------------------------------------------------------------------------
------------------------------------------------------------------------------------------------------
THE RIPENESS IS ALL!
Në kohërat e lashta pjekuria ka qenë çdogjë, derisa Shekspiri nuk e ka thënë … the ripeness is all, e deri sot ende vlen jo vetëm ta kujtojmë apo ta rishkruajmë por ta bëjmë. Neve na parashtrohet problemi si ta parashtrojmë pyetjen apo si ta ngrisim çështjen e pjekurisë në kohën kur jemi hutuar se jemi në fazën e pjekurisë. Njerëzimi në përgjithësi është larg nga kjo fazë dhe jo është njëra nga shumë pikat ku nuk pajtohem me Bahaullahun, themeluesin e fesë Baha’i.
Ne jetojmë në një botë pëplotë dhunë dhe në secilin qytetërim kanë dalur zërat e dijetarëve të cilët kanë thënë se së shpëjti do t’I vie fund botës për shkak të tiranisë, amoralitetit, korrupcionit, sëmundjeve. Çdo qytetërim I ka pasë këto sëmundje dhe asnjë qytetërim nuk ka arritur ta gjej ilaçin …
Ajo çka ka arritur secili qytetërim është ta sofistikoj secilën nga këto sëmundje duke ia dhënë trajtën tjetër .
Babai I historisë, Ibn Halduni, bukur e ka vërejtur që secili qytetërim ka fazat e veta të zhvillimit dhe e ka kohëzgjatjen e caktuar. Dhe krejtë çka ka ndodhur në histori ëshët që një qytetërim të rrëzohet nga tjetri në hijet e të cilit do të ngritet nje tjetër, më I mirë??? Ndoshta !!!???
Derisa atje përjashta dëgjohen detonimet, krismat, helmimet, vdekjet …lulet çelin, bilbilat këndojnë, xixëllonjat kopulojnë, në kohën e vetë duke kaluar nëpër të gjithafazat e zhvillimit, në kokat e njerëzve vdesin të vjetrat dhe lindin hipokrizi të reja.
Ekzistojnë me mijëra e miliona krijesa, familie të bimëve dhe të shtazëve raca dhe sorte të ndryshme natyrore dhe ato që I ka hibridizuar e klonuar njeriu dhe sa dhimbshëm është që po ky njeri nuk mësoi nga mjeshtria e huaj dhe mjeshtria e vetë. Si nuk mësoi vetë të transformohet, më mirë të piqet, …the ripeness is all.
Që të arrijmë deri tek dallimi më I madh ndoshta duhet të kalojmë nga gjendja e egër shpirtërore në atë të butë, sepse …pemës së egër I vie era lule, kurse pemës së butë I vie era frut- thotë Novalis.
Shpesh jemi të mashtruar nga zhvillimi I teknologjisë, bëjmë lodra më të sofistikuara për t’u krekosur më shumë sikur ato lodra na bëjnë më të mirë. Teknikisht asnjëherë njerëzimi nuk ka qenë më I zhvilluar, por shpirtërisht asnjehërë më mbrapa nuk ka mbet. Asnjëherë në histori nuk ka pas më shumë pasuri e asnjëherë më shumë nuk kanë vdekur nga uria.
Ajo çka më së shumëti më irriton është heshtja e intelektualëve musliman. Atje ku më së shumti pritet sa I përket Islamit, atje më së paku del moral islam dhe kot u paska fol Muhamedi arabisht … nuk është me ne ai I cili në gjumë bie I ngopur e komshiun s’e ze gjumi nga uria
Më duket se më shumë e kuptojmë ne në Evropë. Nuk mundem assesi ta marr me mend se një princ Saudik posedon 27 miliardë dollar e fqinjët I ka po aty afër në Afrikë, të cilët po vdesin nga uria.
Absolutisht nuk e kuptoj ndërtimin e një xhamie të artë me margaritatrë e xhevahire e gurë të shumtë të çmuar kur aty do të luten njerëzit të cilët kanë më shumë konkubine se sa gishtrinjët në këmbë e duar bashkë. Po njerëz janë ata, njerëz jemi edhe ne, por dallimi është si ai mes baltës dhe hallvës.
Ne kemi nda pogaçen me komshinjët, ne kemi pi shurup mani sëbashku, rrushin e kemi shtrydh bashkë, grurin e kemi korrë bashkë dhe kemi lënë pakëz në ara për fazanat, kumrijat e galat, shtogun e kemi mbledh për mehlem për plagë dhe me lulet e tij për kemi shuar etjen udhëtarit, ullirin kemi shtrydh dritë shpirtit me I dhënë, fikun kemi mbjell kah Jugu, fshehtësinë për t’na e ruajtur, arrën kemi ngrënë në vena të na qarkuloj gjaku I lashtë, kamomillë kemi pi çdo plagë të jashtme dhe të mbrendshme kemi shëruar.
Dallimin mund ta shihni, është sikur në mes të baltës dhe hallvës, edhepse ju duken se janë të njejtë. Sepse ne e kemi shartu vetën sepse ne e kemi punuar tokën e bari vendeli ia lëshoi vendi misrti mysafirë, I cili në çdo farë tramaku jep 3-4 tamakë tjerë, sepse pemëve tona nuk u vie era lule por frut, sepse frut, sepse fruti ynë është I pjekur si thotë Shekspiri…the ripeness is all.
Në kohën e Musës ka jetuar Karuni, një pasanik shumë I madhë dhe thuhet se ka pasë 70 shohse me çelësa të thesareve të tij dhe mbahet në mend vetëm si një koprrac I tmerrshëm.
Harrun ar Rashid mbahet në mend si një halifa shumë I pasur por mbahet në mend si një person që ka arrit pjekurinë, hapi shkolla, universitete, biblioteka, investoi në kulturë. Kësaj I them pjekje, transformim, të bëhurit më serioz- Metanoia.
Princi Siddharta ( Buddha) princi Ibrahim Edhem I Horasanit dhanë/lanë krejt mbretërinë. Kjo është shpëtimi , kjo është vetshpëtimi, faza më e latrtësuar e pjekurisë, e Metanoia-s, kjo është Autosoteria.
Asnjeherë nuk kam dashur të shkruaj për problemet me tematikë politike edhe pse I di, m’i mësoi jeta, sepse kurrë nuk jam marrë me politikë por ajo është marr me mua, në mënyrë shumë të vrazhdë dhe unë assesi nuk po kuptoj pse njerezit si shkenctarë, artistët shkrimtarët…, përzihen në punët të cilët shumë pakëz I marrin veshë, asgjë nuk iu desht Naom Chomsky-t me I dal në krah serbeve që na qenkan viktima të demokracisë, e pamë cka I ndodhi Peter Handkes, pse Chomsky nuk ka marrë mësim prej tij, duke e ditur se I ka të gjithat përpos gjthëdijshmërisë,
Nëse I ka thënë dikush se është I gjthëdijëshëm e kanë gënjyer, por nëse vetë është bind se është I tillë qenka hutuar, ndoshta kjo është shenjë e senilitetit dhe mosarritjes së pjekurisë së duhur shpirtërore, definitivisht. Nese ai e di se është I mirë në Linguistikë edhe ne po këtë e dijmë, kush I tha se Llinguistika është Politikë. Çështja e kosovës është propblem politik e jo linguistikë. Nese krejtë bota e pa ekzodin shqiptar, apartheidin dhe gjenocdin serb jo vetem ndaj shqiptarëve, në cilën gropë të botës paska jetuar Chomsky I cili nuk I paska pa këto pamje kur CNN, BBC, Reuters, Associated Press dhe shumë e shumë të tjerë kanë raportuar.
Nëse e arsyeton gjenocidin serb I cili të ka ndodhë para hundëve duhet ta arsyetosh edhe holokaustin, I cili ka ndodh shumë më herët, dhe ne të gjithë e dijmë se ata që arsyetojnë vrasjen dhe gjenocidin , të çfarë soji njerëzor janë, ja këtu duket dallimi si ai në mes të baltës dhe hallvës. The ripeness is all, my friend.
Fahredin Shehu
Qershor 2006
Prishtinë
---------------------------------------------------------------------------------------------



